“Kurti e di se e ka në rrezik Prishtinën dhe Mitrovicën”

“Kurti e di se e ka në rrezik Prishtinën dhe Mitrovicën”

Politologu Blerim Canaj ka thënë se deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se s’ka buxhet për kandidatët për kryetarë komunash nga partitë e tjera politike nëse nuk punojnë mirë, “janë një mendësi që e ka futur në funksion vetëm kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje”.

Canaj ka deklaruar se Kurti këtë po e bën “vetëm sepse ka rrezik të humbë vota” në Prishtinë dhe në Mitrovicën e Jugut, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që mbahet më 9 nëntor.

“Nëse e shohim atë çfarë tha, kjo është pjesë e mendësisë që e ka futur zoti Kurti. Ai e përcakton se kush janë hajnat, ai e përcakton se kush janë ata që nuk qeverisin mirë. Do të thotë, neve nuk na duhen as policia dhe as hetuesia për t’i ndjekur hajnat, sepse i përcakton Kurti. Madje, nuk ka nevojë as të dalim për të votuar, sepse qytetari nuk e përcakton kush qeveris mirë, por këtë na e thotë Kurti. Kjo është ajo mendësi që në fillim, si ta shohim, na shkon mendja”, tha ai.

“Natyrisht, kjo është përpjekje që të thotë se ato partitë e tjera, ata ‘hajvanët’, nuk dinë të qeverisin ose janë ‘hajna’. Por njëkohësisht e di se e ka shumë në rrezik Prishtinën. Kam përshtypjen se, siç duket, Përparim Rama prapë do ta marrë Prishtinën, sepse për Kurtin është shumë e rëndësishme Prishtina”.

“Por e rëndësishme për të është edhe Mitrovica, sepse të gjithë e dimë që gjithë energjinë e ka harxhuar në Mitrovicë, dhe aty, siç duket, zoti Peci i ka gjasat reale të dështojë. Natyrisht, kjo e sjell një farë lloj nervozizmi”, tha Canaj.

Në fund, ai tha se Kurti nuk duhet të harrojë se garën e përcaktojnë qytetarët e vendit, pasi Kosova është me sistem demokratik.

Related Articles