Kurti e Hajdari marrin pjesë në Forumin Ekonomik mes Kosovës dhe Austrisë

Kurti e Hajdari marrin pjesë në Forumin Ekonomik mes Kosovës dhe Austrisë

Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Tregtisë dhe Ndërmarrësish, Rozeta Hajdari, kanë marrë pjesë në Forumin Ekonomik të organizuar mes Kosovës dhe Austrisë, me temën “Klima ekonomike dhe e investimeve në Kosovë”, me qëllim të  intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral për zgjerimin dhe diversifikimin e tregtisë dypalëshe dhe rritjen e investimeve.

“Qeveria Kurti me parimet e qeverisjes së mirë, me politikat dhe legjislacionet e reja për përkrahjen dhe mbrojtjen e investimeve, me potencialet konkurruese ‘nearshoring’ dhe me bashkëpunimin e afërt dhe transparent, ka rritur besimin për të investuar në Republikën e Kosovës”, tha ministrja Hajdari në këtë Forum.

“Për të krijuar një mjedis më të mirë dhe më të sigurt për tërheqjen e investimeve të huaja, ne kemi nisur një reformë serioze strukturore siç janë: reforma në drejtësi me legjislacion të mirë, në përputhje me standardet e BE-së, reforma në administratën publike dhe reforma për përmirësimin e mjedisit të të bërit biznesi dhe zhvillimin e konkurrencës në sektorin privat”, shkroi Hajdari pas takimit.

“Gjithashtu, me kënaqësi sjella në pah përparësitë konkurruese për investime ” nearshoring” , fleksibilitetin që ju ofron Kosova kompanive austriake, gjatë operimit të tyre në të njëjtën zonë kohore, por me kosto më të ulët operacionale”.

“Infrastruktura e zhvilluar rrugore dhe digjitale dhe afërsia me portin e Durrësit, janë mundësi për rritjen e mundësive tregtare dhe investimeve, rinia kreative e shumëgjuhëshe dhe me aftësi të mira digjitale, tatimet e ulëta dhe valuta Euro janë përparësi për të ulur kostot e transaksioneve dhe rreziqet e kursit të këmbimit dhe faktorë ideal që afrojnë investitorët austriakë dhe ndërkombëtarë për të investuar në vendin tonë”.

Tutje ministrja tha se Kosova është përherë falënderuese ndaj Austrisë.

“Zotohemi për bashkëpunimin e ngushtë bilateral në aspektin politik dhe ekonomik, në të mirën e dy vendeve të renditura së bashku, për paqe e prosperitet dhe të ardhme të ndritur për qytetarët tanë”, përfundoi Hajdari.

Related Articles