Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas mbledhjes së parë të qeverisë, ka shkruar për vendimet që mori kabineti qeveritar.
Kurti ka renditur pikat që u miratuan, duke i renditur më të rëndësishmet. “Mbledhja përuruese dhe e parë e punës së kabinetit të ri qeveritar. Që në ditën e parë të punës, u mblodhëm për të miratuar buxhetin e vitit 2026 dhe listën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat prej kohësh presin miratimin në Kuvend e që kanë edhe afat skadence”.
“Gjithashtu, aprovuam vendimin për t’i kërkuar Kuvendit që të mundësojë zgjatjen e Ligjit për Ndarje Buxhetore të vitit të kaluar edhe për muajin mars, në mënyrë që të sigurohemi se pensionet dhe pagat në sektorin publik të ekzekutohen me kohë, teksa komisionet parlamentare dhe deputetët e legjislaturës së 10-të trajtojnë dhe miratojnë buxhetin për këtë vit”.
“Rikujtojmë se vitin e kaluar Kuvendi i Republikës u shpërnda pa u votuar buxheti i shtetit në vlerë prej 4 miliardë euro, Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro, duke rrezikuar madje përfitimet nga to. Tash që kemi Kuvend të konstituuar dhe Qeveri të re në krye të detyrës, e kemi edhe një mundësi tjetër për t’i ratifikuar këto marrëveshje ndërkombëtare në Kuvend.” – shkroi Kurti.
Në fund, ai tha se “Shërbimi ndaj Republikës dhe qytetarëve, me punë e zell, nder e përkushtim, është privilegji më i madh që do ta kemi secili prej nesh.”
