Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është në mesin e shteteve më të sigurta në botë për të investuar. Ai shton se nga 226 shtete, Kosova renditet në vendin e 26-të, sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve të publikuar nga organizata Henley.
Për këtë ka reaguar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hymete Bajrami, duke thënë se Kurti e ka gjetur një organizatë që e rendit Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë për qëndrueshmërinë e investimeve.
Bajrami ka thënë se realiteti ëstë se Kurti nuk ka guxim të nxjerrë asnjë gjysmë fjale nëpër intervista me gazetarët, përpos kur moderatori është përfitues i fondeve.
Më pas ajo kritikoi Qeverinë për çështjen e energjisë, tenerëve një burimorë, etj.
Postimi i plotë i Bajramit:
Albin ‘gjeniu’ e paska gjetë një organizatë “Henley & Partners” e cila e ka renditë Kosovën para Belgjikës, Francës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Japonisë sipas Indeksit Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë së Investimeve. Po, në kohën në të cilën jetojmë edhe organizata të tilla mund të gjenden, por indeksimi nuk e ndryshon realitetin ekonomik.
Realiteti për të cilin Albin Kurti s’ka guximin me e nxjerrë asnjë gjysmë fjale, bile nuk guxon as në intervista me shku përveç nëse moderatori është përfitues i fondeve të qeverisë është ky:
Këtë vit çmimi i energjisë elektrike për bizneset është rritë deri në 300%,
Si rezultat i politikave të Qeverisë ka lulëzuar mafia energjetike,
Gjatë mandatit të qeverisë Kurti janë dhënë 3000 tendera të negociuar,
Gjatë mandatit të Kurtit kanë ikur mbi 250 mijë qytetarë nga vendi, shumica nga ata me viza pune dmth. punëtorë të kualifikuar,
Deficiti tregtar ka arritur në 5.4 miliardë Euro (2024),
Investimet kapitale janë ekstremisht të ulëta (deri më 1 shtator niveli qendror ka shpenzuar vetëm 198 milionë Euro),
Inflacioni është 4.7% (shator, 2025)
Normat e interesit janë ngritur tej mase,
Kosova është nën masa ndëshkuese të BE-së që nga viti 2023,
Jemi të vetmit në rajon që nuk kemi qasje në fondet e “Planit të Rritjes” dhe mbi të gjitha jemi vend pa Qeveri.
Hajde Albin, merri me vete krejt gjenitë që të rrethojnë e t’i rrahin krahet dhe përballemi në studio, me argumente për çka i ke bërë ekonomisë.
PS.
Për reputacionin e organizatës s’po flas, lexoni vetë. Unë lexova “The Guardian” çka shkruan.