Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sot në Pragë.
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE i është dorëzuar sot Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian, që për këtë gjashtëmujor drejtohet nga çekët.
Kryeministri Kurti, në njoftimin e bërë në Tëitter, pas dorëzimit të aplikimit, ka shkruar se kjo është një ditë historike për qytetarët e Kosovës.
“Në zemër të Evropës, në qytetin e bukur të Pragës, ne zyrtarisht i dorëzuam Presidencës çeke të Bashkimit Evropian aplikimin tonë për anëtarësim në BE. Kjo është një ditë historike për popullin e Kosovës dhe një ditë e mrekullueshme për demokracinë në Evropë”, ka shkruar Kurti.
Kryeministri ka bashkëngjitur edhe letrën e aplikimit, të nënshkruar nga Presidentja Vjosa Osmani, vetë Kryeministri dhe nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Në emër të Repulikës së Kosovës, në dakordim me nenin 49 të Traktatit të Bashkimit Evropian, bazuar në zotimin tonë për të respektuar dhe promovuar vlerat themelore të Bashkimit Evropian, në frymën e zotimit të plotë dhe të paekuivokë të BE-së për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian të Ballkanit Perëndimor dhe në thirrjen për përshpejtimin e procesit të pranimit, kemi nderin që ta paraqesim aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhet ndër të tjera në letrën e dorëzuar.