Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka pritur në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan.
Kurti dhe Fidan kanë diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe të Kosovës dhe Turqisë si dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike.
Gjithashtu në komunikatën për media thuhet se Kurti ka falënderuar ministrin turk për mbështetjen që Turqia i ka dhënë Kosovës për aplikimin në KiE.
“Në takimin e tyre të dytë gjatë këtij viti, pas atij në Ankara në muajin maj, kryeministri Kurti dhe ministri Fidan vazhduan diskutimet mbi marrëdhëniet dypalëshe të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë dhe për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, sigurisë, mbrojtjes dhe integrimeve euroatlantike”.
“Mirënjohës për vizitën dhe bashkëpunimin e afërt të tij, kryeministri i shprehu falënderim të veçantë ministrit Fidan për partneritetin në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë dhe mbrojtjes, për rolin kontribuues të Turqisë për paqe në Kosovë dhe rajon përmes misionit të NATO-s, KFOR dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të saj në aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Të dy u shprehën të përkushtuar në thellim të raporteve dhe partneritetit strategjik”, thuhet tutje në komunikatë.