Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ambasadoren jo-rezidente të Letonisë, Elita Kuzma.
Kurti në këtë takim nënvizoi mirënjohjen për mbështetjen dhe nënshkrimin e deklaratës së përbashkët për Kosovën nga Kryetarët e Komisioneve për Punë të Jashtme të shteteve të ndryshme, përfshirë kryetarin Rihard Kols nga Letonia, ku përmendet nevoja për qasje të barabartë e proporcionale mes palëve në procesin e dialogut, fokusin në stabilitetin e sigurinë e rajonit, si dhe kërkesën për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Kështu bëhet e ditur në një komunikatë për media lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti po ashtu ka vlerësuar rolin e Letonisë në proceset e shtetndërtimit të Kosovës dhe mbështetjen e aspiratave euroatlantike të vendit tonë.
”Në mesin e tyre, anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera ndërkombëtare si dhe procesi i liberalizimit të vizave”, thuhet në komunikatë.
Në këtë takim u theksua me rëndësi të veçantë edhe fuqizimi i bashkëpunimit përmes intensifikimit të komunikimit dypalësh për iniciativa të ndryshme me qëllim afrimin mes shteteve.
“Me këtë rast, kryeministri Kurti bëri dhe një ftesë për kryeministren e re Evika Silina për vizitë zyrtare në Kosovë”, thuhet në komunikatë.