Kurti flet me ambasadorin gjerman rreth situatës në Kuvend

Kurti flet me ambasadorin gjerman rreth situatës në Kuvend

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, priti në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me të cilin bisedoi për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve dhe bashkëpunimin në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në sundimin e ligjit.

Gjatë takimit, ambasadori Rohde shprehu interesimin për procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës dhe për ecurinë e marrëveshjeve ndërkombëtare që presin miratim nga legjislativi.

Kurti theksoi rëndësinë që legjislatura e nëntë të konstituohet sa më parë përmes zgjedhjes së kryesisë së Kuvendit, duke rikujtuar përpjekjet e tij për tejkalimin e bllokadës, përfshirë takimet me liderët e partive parlamentare dhe pjesëmarrjen në takimin e ftuar nga Presidentja e Republikës, në përputhje me aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Një temë tjetër e diskutimit ishte edhe kërcënimi me bombë ndaj Kuvendit të Kosovës, i ndodhur gjatë fundjavës së kaluar.

Kryeministri informoi ambasadorin se institucionet e sigurisë kanë konfirmuar se kërcënimi ka ardhur nga një numër telefoni i regjistruar në Serbi dhe që i përket kompanisë telefonike MTS, duke theksuar origjinën jashtë kufijve të Kosovës.

Në fund të takimit, kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Rohde për mbështetjen e vazhdueshme dhe bashkëpunimin e ngushtë në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Related Articles