Kurti flet për ‘kompaninë e dronëve’ në Gjilan

Kurti flet për ‘kompaninë e dronëve’ në Gjilan

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur sot për vizitën që pati te një kompani në Gjilan, e cila thoshte se prodhon dronë ushtarakë.

Kjo kompani më pas doli që kishte përdorur video të testimit të dronëve disa kompanive kineze ku testoheshin dronët e prodhuara nga ata.

Për këtë Ministria e Mbrojtjes ka thënë më pas se nuk janë të përfshirë dhe se po e hetojnë rastin.

Kurti u pyet nga gazetarët për vizitën e tij në këtë kompani në prag të zgjedhjeve dhe tha se s’mund t’i di hollësitë e krejt kompanive që viziton.

“Unë kam vizituar me qindra kompani anë e mbanë Kosovës gjatë këtij katërvjeçari. S’mund të them që mund t’i di secilën hollësi të secilës kompani. Por, normalisht që unë jam i hapur që t’i dëgjoj kritikat atëherë kur diçka nuk ka qenë ashtu siç më është prezantuar, por duhet ta keni parasysh që kur vjen te aspektet e hollësishme profesionale, s’mund ta di paraprakisht se cilat janë ato saktësisht për secilën kompani”, tha sot Kurti.

Megjithatë, më 8 nëntor, Kurti kishte prerë shiritin te kjo kompani duke thënë se “shteti ynë po shndërrohet në vend që prodhon”.

Ai atje i promovoi këta dronë duke i përshkruar hollësitë e tyre në detaje.

“Droni kamikaz “K1”, arrin shpejtësi maksimale prej 180km/h e lartësi deri në 2500 metra. Ndërsa “Skifteri” arrin në 5000 metra lartësi, hapësirë operuese 20km dhe shpejtësi prej 270km/h”, kishte shkruar Kurti.

Related Articles