Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka debatuar me deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës për situatën e krijuar në komunat veriore të vendit.
Deputetët e opozitës e kanë kritikuar Kurtin për veprimet e Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se për të gjitha vendimet, kryeministri nuk është koordinuar me miqtë ndërkombëtarë.
Kurti është kritikuar edhe për deklaratat e tij pas reagimit të ndërkombëtarëve që kërkonin qetësimin e situatës në veri, pasi që së fundi ai deklaroi se “është zgjedhur prej qytetarëve dhe jo prej ambasadorëve”.
Në momentin që doli në foltoren e Kuvendit, Kurti foli edhe për akuzat ndaj tij për identifikimin e krerëve të “bandave kriminale” në veri, por mos arrestimin e tyre.
“Unë e kam një pyetje edhe për Krasniqin, edhe për Abdixhikun dhe Abelard Tahirin. Ju më pyetët pse nuk po i arrestoj kriminelët në veri, pasi që i përmenda me emër dhe mbiemër, pra njihen në opinion. Unë ju falënderoj për mbështetjen që ma dhatë në këtë pjesë, por po ju pyes, a duhet t’i arrestoj me koordinim a pa koordinim? Kjo pyetje ke për Krasniqin dhe Abdixhikun, ndërsa për Tahirin po e pyes ‘a me shurdhues a pa shurdhues?’ Pra, arrestimi i tyre duhet të ndodh, por ju duhet të më tregoni ‘a me koordinim a pa koordinim?’”, ka deklaruar Krasniqi.