Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka uruar fëmijët për fillimin e vitit të ri shkollor 2025/2026.
Ai inkurajoi të gjithë mësimdhënësit që të jenë sa më afër fëmijëve dhe nxënësve.
“Sepse në moshat e hershme dashuria e mësuesit dhe mësueses është jo më pak e vlefshme sesa ajo e prindërve. Dashamirësia që tregojmë për të tjerët dhe për ta bëhet faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin dhe edukimin e tyre”, shkroi Kurti.
“Dita e parë e klasës së parë është një ditë e veçantë për çdo fëmijë dhe çdo prind. Këtë vit shkollor, në nivel vendi janë afër 25 mijë fëmijë që nisin mësimet në klasën e parë, që takojnë mësueset e mësuesit e tyre dhe që fillojnë miqësitë e para me shokët e shoqet e klasës dhe gjeneratës”, u shpreh tutje Kurti.
I pari i Qeverisë, bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, vizituan nxënësit e klasës I/1 të shkollës “Hasan Prishtina” në Prishtinë.