Kurti: Kosova në NATO, çështje urgjente – Shqipërinë e kemi në krah

Kurti: Kosova në NATO, çështje urgjente – Shqipërinë e kemi në krah

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova dhe Shqipëria, të dyja janë mbështetëse të proceseve integruese dhe euroatlantike.

Në seancën e përbashkët të të dyja parlamenteve, ai është shprehur se Kosova po avancon në rrugën e anëtarësimit për në BE.

“Shqipëria dhe Kosova synojnë të jenë anëtare të denja të familjes euroatlantike dhe po marrin përgjegjësinë që u takon me anëtarësimin në BE dhe në NATO. Pakicat kombëtare në Kosovë dhe te shqiptarët në përgjithësi janë bashkë me ne sepse ne jemi respektues dhe përgjegjshëm ndaj tyre. Kosova dhe Shqipëria besojnë në të drejta të njeriut, janë kontribuuese të paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, prandaj janë edhe mbështetës të fuqishëm të proceseve integruese euroatlantike”.

“Neve në Kosovë na gëzon fakti se Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe vend kandidat i BE-së. Kosova ka dorëzuar aplikimin për t’u bërë anëtare e BE-së dhe po avancon në këtë drejtim për aq sa lejon situata ku ajo ndodhet kryesisht për shkak të refuzimit agresiv të Serbisë për të na njohur si shtet, por edhe për shkak të mosnjohjes së pesë vendeve në BE”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova nuk duhet të anëtarësohet në NATO pse nuk është mjaftueshëm e fortë, por sipas tij, do të anëtarësohet në NATO për shkak se do të bëhet gjithnjë më e fortë.

“Nga NATO-ja të përfitojmë sepse edhe do të kontribuojmë. Agresioni në Ukrainë, rindezja e konflikteve në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste ndaj Kosovës, ai në Banjskë dhe ky i fundit në kanalin e Ibër-Lepenc, që vijnë nga e njëjta adresë që është Serbia, nëse nuk është Serbia janë bashkë edhe Serbia edhe Rusia”.

“E kanë bërë këtë çështje urgjente, pra anëtarësimin e Kosovës në NATO. Forca e Sigurisë së Kosovës është në lartësinë e detyrës që e kërkojnë standardet e aleancës dhe ne besojmë se Shqipërinë e kemi në krah të përpjekjeve tona për të tejkaluar pengesat politike ndaj anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, ka thënë Kurti.

Related Articles