Kryetari i Vetëvendosjes, pasi iu besua kandidati i kryeministrit nga delegatët e kësaj partie, u deklarua se, sipas tij, deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme erdhi “pa dëshirën” e tij.
Kurti u ankua se partitë e tjera refuzuan çfarëdo bashkëpunimi me këtë parti,
“Pa dëshirën time dhe pa vullnetin e Lëvizjes sonë, por si pasojë e refuzimit nga subjektet tjera për të pasur çfarëdo bashkëpunimi me neve. Asnjë nga to nuk po arrin ta pranojë realitetin, e sidomos disa prej tyre të cilave iu ofruam bashkëpunim. Së pari më refuzuan mua, pastaj edhe Glauk Konjufcën – të dyja herët të gjithë votuan bashkë kundër qeverisë së Vetëvendosjes”, tha Kurti.
Ai vazhdoi duke pretenduar se Kosova “nuk ka krizë ekonomike” apo “krizë buxhetore” – duke drejtuar sërish gishtin te partitë tjera për, siç pretendon ai, krijimin e një “krize legale procedurale”.
“Kosova nuk ka krizë ekonomike, nuk ka krizë financiare, nuk ka krizë buxhetore. Mirëpo ka krizë legale procedurale nga bllokimet e opozitës, e cila po synon që këtë ta shndërrojë në krizë sociale”, tha ai.
