Kurti kujton ish-presidentin Ibrahim Rugova në 20 vjetorin e vdekjes

Kurti kujton ish-presidentin Ibrahim Rugova në 20 vjetorin e vdekjes

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 20-vjetorin e vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, duke e vlerësuar atë si figurë qendrore të historisë së shtetndërtimit të Kosovës, Presidentin e Parë të vendit dhe një intelektual të shquar.

“Në ditën kur janë bërë dy dekada nga dita e vdekjes së tij, e përkujtojmë Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin e Parë të Kosovës, liderin e shquar politik, intelektualin e angazhuar dhe studiuesin e spikatur të letërsisë”, thuhet në shkrimin e Kurtit.

Ai thekson se periudha e pluralizmit politik, demokratizimit dhe ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës është e lidhur ngushtë me emrin e Rugovës. “Në historinë e shtetndërtimit të Kosovës, periudha e pluralizmit partiak, e demokratizimit dhe e ndërkombëtarizimit të çështjes së vendit tonë, është e lidhur pashqitshëm me emrin e Ibrahim Rugovës”, vlerëson Kurti.

Duke rikujtuar rolin e tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Kurti nënvizon se Rugova ishte kryetari i parë dhe më jetëgjatë i LDK-së, që nga themelimi i saj më 23 dhjetor 1989 deri në vdekjen e tij më 21 janar 2006, ndërsa kontributi i tij politik u ndërtua bashkë me një rreth të gjerë bashkëpunëtorësh gjatë viteve ’90.

Në shkrim përmenden edhe rrethanat e rënda politike të fillimviteve ’90, kur Kosova ndodhej nën regjimin represiv serb. “Në një kohë tejet të vështirë kur Serbia kishte vendosur një regjim apartheidi në Kosovë, Ibrahim Rugova u vendos në krye të një shteti juridikisht dhe politikisht unik”, shkruan Kurti, duke rikujtuar zgjedhjen e Rugovës President më 24 maj 1992.

Kurti vlerëson edhe rolin e Rugovës në arenën ndërkombëtare: “Pikërisht atëherë kur më së shumti Serbia këmbëngulte që nuk ka një Republikë të Kosovës dhe kur askush përveq Republikës së Shqipërisë nuk e njihte ekzistencën e saj, Ibrahim Rugova si President i Republikës së Kosovës, arriti të imponohej si i tillë duke u takuar edhe me liderë botërorë deri te Presidenti i ShBA-së, Bill Klinton.”

Sipas tij, urtësia politike dhe rezistenca paqësore e Rugovës hapën rrugën e Kosovës drejt Perëndimit. “Urtësia e tij në mendim dhe veprim, si dhe konsistenca e tij në rrugën e rezistencës paqësore, i hapën rrugë Kosovës në shumë forume dhe tryeza diskutimi”, thekson Kurti.

Në shkrim përmendet edhe jeta personale dhe akademike e Rugovës, i lindur më 2 dhjetor 1944 në Cerrcë të Istogut, si dhe formimi i tij si studiues i gjuhës dhe letërsisë shqipe, me një veprimtari të gjerë shkencore në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Në përmbyllje, Kurti thekson rëndësinë e trashëgimisë së tij politike dhe institucionale: “Trashëgimia politike e Dr. Ibrahim Rugovës, është e kudondodhur gjithandej universit të politikëbërjes në Kosovë”, duke shtuar se ai “ka zënë vend më vete në historinë e politikës dhe kulturës në Kosovë”.

Related Articles