Kurti: Lojërat Mesdhetare, projekt me rëndësi strategjike për Kosovën

Kurti: Lojërat Mesdhetare, projekt me rëndësi strategjike për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka. vënë theks të veçantë te Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, duke i cilësuar ato si një projekt zhvillimor shtetëror që kërkon bashkëpunim të gjerë institucional dhe përkushtim afatgjatë.

Në fjalimin e tij gjatë ceremonisë së shpalljes së laureatëve të vitit 2025, të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës, Kurti theksoi se përgatitjet për këtë ngjarje madhore sportive nuk janë vetëm organizative, por një angazhim serioz ndërinstitucional dhe ndërsektorial, ku qeveria do të jetë partnere e fuqishme dhe mbështetje e qëndrueshme deri në realizimin e suksesshëm të saj.

“Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 janë projekt që tejkalon sportin – ato janë investim në zhvillimin e vendit dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës,” u shpreh Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e koordinimit dhe profesionalizmit në çdo fazë të përgatitjeve.

Krahas fokusit te Lojërat Mesdhetare, kryeministri nderoi arritjet e sportistëve kosovarë gjatë vitit 2025, duke vlerësuar përkushtimin, disiplinën dhe karakterin që ata kanë dëshmuar brenda dhe jashtë vendit. Ai falënderoi kampionët për çdo medalje të fituar, për stërvitjet e hershme dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovë në arenën ndërkombëtare.

Ai rikujtoi se vitet e fundit janë rritur investimet kapitale dhe mbështetja financiare për sportin, është forcuar korniza ligjore dhe janë zhvilluar programe konkrete për sportistët, duke vendosur edhe standarde të qeverisjes së mirë në sektorin sportiv.

Në përmbyllje, ai uroi laureatët e vitit 2025 për sukseset e arritura, duke theksuar se mbështetja për sportin do të vazhdojë të bazohet në profesionalizëm, meritokraci dhe përgjegjësi të përbashkët.

Related Articles