Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se me mbi gjysmë milion të rinj nga mosha 15 deri në 30 vjeç, Kosova është plot energji, kreativitet dhe potencial. Këto deklarata kryeministri Kurti I bëri në pritjen e organizuar nga ambasada e Gjermanisë në Kosovë, me rastin e emërimit të drejtorit të ri ekzekutiv të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), Besnik Vasolli.
“Me mbi gjysmë milion të rinj nga mosha 15 deri në 30 vjeç, Kosova është plot energji, kreativitet dhe potencial. Ky potencial rritet më së miri në një ekosistem të shëndetshëm: me institucione të forta, drejtësi dhe partneritete që janë ndërtuar mbi besimin reciprok dhe qëllimet e përbashkëta. Njëjtë si partneriteti ynë”, u shpreh kryeministri.
Në fjalën e tij, kryeministri shprehu urimet ndaj z. Vasolli për detyrën e re, si dhe shprehu se “Gjermania ka qenë në veçanti, dhe vazhdon të jetë një nga partnerët, aleatët dhe miqtë tanë më të rëndësishëm. Ne e vlerësojmë jashtëzakonisht se si është rritur bashkëpunimi ynë – nga ndërtimi i paqes dhe zhvillimi demokratik e deri tek formësimi i tanishëm i progresit ekonomik së bashku.”
Ai shtoi se Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, si platformë për biznes, shërben si urë lidhëse ndërmjet vendeve dhe kompanive tona, gjersa uroi z. Vasolli që nën udhëheqjen e tij të vazhdojë mbështetja për ndërmarrjet gjermane dhe ato kosovare, duke u ofruar atyre qasje në mundësitë në të dy tregjet, veçanërisht për të rinjtë e Kosovës.
Në vijim kryeministri përmendi se Kosova është e para në rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor sipas Bankës Botërore, e para në përmirësimet në sundim të ligjit në rajon dhe e dyta në nivel global sipas World Justice Project, e dyta në Evropë dhe e treta globalisht për liritë civile sipas Freedom House dhe e para sa i përket demokracisë elektorale në Ballkanin Perëndimor sipas Institutit V-Dem.
“Z. Vasolli, roli juaj do të jetë kyç në sjelljen e bizneseve më pranë njëra-tjetrës, duke i ndihmuar ata të lundrojnë në të dy tregjet dhe duke treguar se Kosova është një vend ku idetë e mira dhe njerëzit e mirë bashkohen në një mjedis miqësor për investitorët”, përfundoi kryeministri Kurti.