Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, gjatë pasdites vizitoi Shkollën e Mesme, “Xhevdet Doda” në Prishtinë, me rastin e organizimit të edicionit të pestë, të “Panairit të Shkencës dhe Kulturës”, i cili po mbahet në ambientet e kësaj shkolle.
I mirëpritur nga Drejtori i Shkollës, Bardhyl Kabashi dhe stafi i tij, Kurti, shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm në arsimimin dhe edukimin brezave të rinj, teksa i uroi për organizimin e Panairit.
Sipas zyrës së kryeministrit, ai i përgëzoi nxënësit për idetë, projektet dhe punimet e tyre, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë interesimin për shkencën, kulturën e teknologjinë dhe të ushqejnë në vazhdimësi kuriozitetin prej shkencëtari.
Ku panair ka për qëllim kryesor që të rejat e të rinjtë të shprehin dijen e tyre, të shfaqin kreativitetin dhe aftësitë e fituara, në fushat e shkencës, teknologjisë, artit, dhe kulturës.
Me moton “Shkenca e së sotmes është teknologjia e së ardhmes”, panairi ofron një platformë për nxënësit për të shfaqur idetë e tyre inovative dhe eksperimentet shkencore.