Kurti mori pjesë në festën e ditëlindjes së William Walker, të organizuar në Pejë

Kurti mori pjesë në festën e ditëlindjes së William Walker, të organizuar në Pejë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mori pjesë në një ceremoni të veçantë të organizuar në qytetin e Pejës, me rastin e ditëlindjes së 90-të të Ambasadorit William Walker, mik i dëshmuar i Kosovës dhe dëshmitar kyç i masakrës së Reçakut në janar të vitit 1999.

Në fjalimin e tij drejtuar të pranishmëve, Kurti e cilësoi ambasadorin Walker si “zërin e së vërtetës” për Kosovën dhe për popullin e saj, duke theksuar rolin jetik që ai ka pasur në ndërkombëtarizimin e krimeve të kryera nga regjimi serb.

“Walker ishte dhe është zëri i së vërtetës për kombin tonë, për shtetin tonë, në çdo situatë e jo vetëm në atë ditë vendimtare të 15 janarit të vitit 1999,” tha Kurti. “Kur iu kundërvu fuqishëm propagandës së Serbisë, duke thënë që në Reçak ka ndodhur krime kundër njerëzimit, ai ndërgjegjësoi diplomacinë ndërkombëtare dhe opinionin botëror, duke hapur rrugën për ndërhyrjen vendimtare të NATO-s dhe çlirimin e Kosovës.”

Duke kujtuar njohjen e tij të hershme me ambasadorin Walker në vjeshtën e vitit 1998, Kurti vlerësoi figurën e tij si të qëndrueshme dhe frymëzuese, duke theksuar se përkundër viteve që kanë kaluar, Walker “s’ka ndryshuar aspak”.

Në fund të fjalës së tij, Kurti i uroi ambasadorit edhe shumë vite të lumtura.

Ambasadori William Walker njihet gjerësisht për deklarimin e tij historik mbi masakrën e Reçakut, të cilën e quajti “krim kundër njerëzimit”, një moment kyç që ndikoi në ndërhyrjen e NATO-s për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Edhe pas përfundimit të mandatit të tij diplomatik, ai ka mbetur një mik i afërt i Kosovës, që vazhdon ta vizitojë vendin rregullisht.

Ngjarja në Pejë përveçse shënoi një jubile personal të rëndësishëm për ambasadorin Walker, shërbeu edhe si një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për kontributin e tij historik në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Related Articles