Kurti: Ne po rrisim pagat çdo vit, qeveritë e kaluara vetëm njëherë brenda mandatit

Kurti: Ne po rrisim pagat çdo vit, qeveritë e kaluara vetëm njëherë brenda mandatit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qeveria e tij po i rritë pagat për çdo fillim vit, përkundër qeverisjeve të kaluara, kur sipas tij, rriteshin vetëm një herë brenda mandatit.

“Më herët pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë. Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji”, shkroi Kurti në një postim në Facebook, pasi sot njoftoi se vitin e ardhshëm pagat për punonjësit e sektorit publik do të rriten për 110 euro.

“Rritja do të bëhet në dy faza. Faza e parë fillon në janar të vitit të ardhshëm dhe parasheh një rritje prej 55 euro, kurse faza e dytë hyn në fuqi nga korriku i vitit 2025, për të plotësuar totalin prej 110 euro rritje, apo një njësi më lartë të koeficientit të pagës bazë. Në këtë mënyrë, rritjen buxhetore e shpërndajmë mbi-proporcionalisht tek ata që kanë pagat më të ulëta, duke zvogëluar kësisoj edhe më tej hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Pra, për mësuesin, policin, ushtarin, infermierin, zjarrfikësin, rritja në përqindje do të jetë rreth 18-20%, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6-7%”, shpjegoi tutje kryeministri.

“Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritjeje do të jetë rreth 120 milionë euro, e që bashkë me rritjen që kemi bërë për pensionet dhe për shtesat për fëmijë, e sjell totalin në 280 milionë euro më shumë para në xhepat e qytetarëve vetëm nga këto tre masa”, shtoi ai. /Gazeta Enigma

Related Articles