Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me dhunë, kryeministri Albin Kurti, së bashku me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, vizituan shtëpinë muze të familjes Qerkezi. Aty u pritën nga Ferdonije Qerkezi, Nesrete Kumnova dhe përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”.
Kurti ritheksoi se qeveria mbetet e përkushtuar për ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës, për t’i dhënë fund ankthit të pritjes së familjarëve.
“Baca Halim, Artani, Armendi, Ardiani dhe Edmondi janë emra që i njohim të gjithë dhe i mbajmë në zemër. Janë emra të vuajtjes e dhimbjes, të humbjes e pikëllimit, jo vetëm të Nënës Ferdonije, por të gjithë popullit dhe secilit qytetar”, tha Kurti.
Ai tha se qëndresa e Nënës Ferdonije na mbanë të fortë të gjithëve, na ikurajon e na frymëzon.
Gjatë kësaj vizite u rikujtua edhe protesta e para 18 viteve, për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, gjatë së cilës kryeministri Kurti, atë kohë si protestues, u arrestua bashkë me përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”.
Duke i falënderuar për qëndresën e tyre, kryeministri shprehu mirënjohje për angazhimin e nënave nga Gjakova, të cilat protestonin edhe për lirimin e të burgosurve nga burgjet serbe dhe që vazhdojnë aktivizmin e tyre, për të zbardhjen e fatit dhe të vërtetës për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë.