Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur ditë të papërshtatshme atë të djeshmen në Bruksel, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e përfaqësuesit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.
Në Konferencën për Rininë 2022, “Drejt një politike kombëtare”, Kurti ka bërë një batutë me të rinjtë, të cilëve teksa po u jepte këshilla për të lexuar ka thënë se dita e djeshme për të nuk ka qenë fare e përshtatshme.
“Unë nuk po ju them që t’ia merrni kohën as shkollimit zyrtar, as gjumit e as argëtimit, por ajo që ngelet jashtë këtyre aman lexoni. Nëse secili prej neve e mendon ditën e djeshme, nejse për mua dita e djeshme nuk është bash e përshtatshme, por nëse mendoni se çfarë keni bërë në 24 orë atëherë ka gjasa se disa orë nuk ju kujtohet se çfarë keni bërë. E ato janë orët që është dashur të lexoni. Vetëm kaq”, ka thënë kreu i ekzekutivit.
Ai tutje ka thënë se shoqëria në Kosovë është shndërruar në shoqëri të konsumit dhe kjo sipas tij, duhet të ndryshojë.
“Njerëzit sot presin më shumë sepse jemi shndërruar në shoqëri të konsumit. Jemi më shumë konsumatorë sesa prodhues e krijues. Jemi më tepër spektator sesa njerëz që e vënë në funksion imagjinatën për të bërë diçka. Është e rëndësishme të jemi më shume krijues e më pak konsumator. Kjo e rritë pasurinë e jetesës dhe bashkëpunimin me të tjerët”.