Kryeministri i vendit, Albin Kurti, po merr pjesë në hapjen e ekspozitës “Tri ditë që ndryshuan historinë”, e organizuar nga Kuvendi i Kosovës në holin e institucionit, në nderim të Epopesë së UÇK-së.
Kurti paraprakisht foli edhe para mediave, duke kujtuar ngjarjet e marsit të vitit 1998 në Prekaz dhe në rajonin e Drenicës.
Ai tha se më 6 mars 1998, zona e Drenicës ishte në ditën e dytë të një rrethimi të madh nga forcat serbe,
“28 vite më parë, më 6 mars 1998, në fshatin Prekaz dhe në pjesën më të madhe të Drenicës ishte dita e dytë e një rrethimi të hekurt nga mijëra trupa policore dhe ushtarake të Serbisë. Në lagjen Jasharaj po zhvillohej rezistencë e armatosur në një përballje të pabarabartë nga familja e Shaban Jashari dhe Zahide Jashari, me djemtë e tyre Hamëz Jashari dhe Adem Jashari, bashkë me anëtarë të tjerë të familjes dhe të afërm, kundër një makinerie të tërë ushtarake të Serbisë”, tha Kurti.
Sipas tij, pavarësisht brutalitetit dhe ashpërsisë së atyre ditëve, gazetarë dhe fotoreporterë vendorë e ndërkombëtarë arritën të dokumentojnë momentet historike.”Për fatin e historisë sonë, përkundër brutalitetit dhe ashpërsisë së atyre viteve, gazetarët dhe fotoreporterët vendorë dhe ndërkombëtarë kanë arritur të regjistrojnë materiale audiovizuale nga ato ditë të marsit 1998 dhe t’i ruajnë ato deri më sot”, tha ai.
