Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nga Austria ka udhëtuar për në Gjermani ku edhe ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik Global Conect 2022.
Siç ka njoftuar zyra për media e kryeministrisë, në këtë organizim Kurti ka mbajtur edhe një fjalë rasti ku edhe ka tentuar të bind investitorët që kanë marrë pjesë në këtë Forum që të shohin Kosovën si vend potencial për investime.
Kur e ka thënë këtë Kurti iu ka treguar se Kosova ka institucione të qëndrueshme dhe se shumica e popullësisë është nën moshën 35 vjeçare dhe fuqi punëtore të talentuar që flasin gjuhët e huaja.
“Në fjalën e tij, kryeministri Kurti foli për mundësitë që Kosova ofron për investitorët e huaj dhe vlerat që ndanë me Bashkimin Evropian. Ai tha se vendi ynë ka një qeveri demokratike dhe institucione të qëndrueshme që përbëjnë bazë të favorshme për investitorë që synojnë investime të qëndrueshme dhe kthim të tyre”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
“Si një nga përparësitë e Republikës së Kosovës, kryeministri Kurti e veçoi kapitalin njerëzor. Me 2/3 e popullatës nën moshën 35 vjeçare, fuqi punëtore të talentuar dhe të motivuar dhe që flet gjuhë të huaja, Kosova paraqet një mundësi shumë të mirë për bizneset gjermane. Me këtë rast, ai u bëri ftesë përfaqësuesve të bizneseve që të vizitojnë Kosovën”, ka shtuar tutje Kurti.