Këtë të martë u gjet trupi i pajetë i 33-vjeçarit Rrahim Latifi në Ujman nga ekipet për kërkim-shpëtim të FSK-së, raporton Gazeta “Enigma”.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook i ka shprehur ngushëllime familjes së 33-vjeçarit.
“Familjes Latifi i shprehim ngushëllimet më të përzemërta dhe ju qëndrojmë pranë në këto momente të vështira për të ofruar gjithë mbështetjen tonë e për të ndarë me ta dhimbjen e madhe”, shkroi Kurti në Facebook.
Ndër të tjera, ai falënderoi Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, Klubin e Zhytjes “Trepça” dhe KFOR-in për, siç tha, punën profesionale, përkushtimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pareshtur deri në gjetjen e trupit të pajetë të Rrahim Latifit në liqenin e Ujmanit.
Latifi kërceu nga ura e Ujmanit më 27 korrik, nga ku u zhduk deri në orët e sotme të pasdites, kur u gjet i pa jetë. /Gazeta Enigma/