Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një video në gjuhën serbe përmes Facebook-ut, duke njoftuar hapjen e 121 vendeve të lira pune në katër komunat veriore me shumicë serbe: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan.
Sipas Kurtit, Ujësjellësi Rajonal “Mitrovica” tashmë ka formuar njësitë punuese në këto komuna dhe ka shpallur konkurse për punësim.
Ai theksoi se afati për aplikim për 68 nga këto vende pune përfundon më 8 gusht, ndërsa për 53 vendet e mbetura më 19 gusht 2025.
“Ujësjellësi Rajonal ‘Mitrovica’ ka formuar njësitë punuese dhe ka shpallur konkurse për 121 vende pune në komunat: Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan. Konkursi për 68 vende pune mbyllet këtë të premte, me 8 gusht, ndërsa për 53 vendet e tjera mbyllet me 19 gusht,” ka deklaruar Kurti.
Kurti i ftoi qytetarët e këtyre komunave që të vizitojnë faqen zyrtare të KRU Mitrovica për informata të mëtejshme dhe të aplikojnë për pozitat e hapura: https://www.kru-mitrovica.com/konkurset/.