kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka reaguar pas lajmit për ndarjen nga jeta të Komandantit të parë të KFOR-it në Kosovë, Gjeneralit Mike Jackson, raporton Gazeta “Enigma”.
Kurti përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka shpreur “populli dhe shteti i Kosovës, i kujtojnë miqtë dhe përkrahësit e tyre, në rrugën e pafundme të historisë së lirisë dhe të shtetndërtimit”.
Tutje ai ka theksuar se “shëndeti nuk e la të vinte në Kosovë dhe të na bashkohej në shënimet e 25-vjetorit të çlirimit të vendit tonë, por Gjeneral Michael Jackson ka hyrë përgjithmonë në historinë moderne të Kosovës. Në moshën 80 vjeçare, të martën e 15 tetorit 2024, gjenerali britanik Mike Jackson, vdiq i sëmurë nga kanceri në prostatë”.
“Mike Jackson ishte njeriu që në emër të trupave të NATO-s e nënshkroi Marrëveshjen Teknike Ushtarake në Kumanovë më 9 qershor 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë duke shënuar kapitullimin e Ushtrisë së Jugosllavisë dhe Policisë së Serbisë. Gjeneral Jackson ishte komandanti i parë i trupave ushtarake të misionit të KFOR-it, duke qenë kështu në krye të fazës finale të çlirimit të Kosovës, në qershor të vitit 1999”, ka shkruar Kurti.
“Jeta dhe karriera e Mike Jacksonit, ishte një jetë e përkushtuar prej ushtaraku, ashtu siç sugjeron edhe vet ai te libri autobiografik i tij, i titulluar thjesht “Ushtar”. Në kujtim të Gjeneral Michael Jacksonit, me mirënjohje të thella dhe vlerësime të larta”, thuhet në postimin e tij. /Gazeta Enigma/