Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ku ka theksuar arritjet e qeverisë së tij në fushën e punësimit dhe mbrojtjes së të drejtave të punëtorëve.
Kurti ka deklaruar se papunësia është në rënie dhe se qeveria ka rritur ndjeshëm nivelin e punësimit.
Ai theksoi gjithashtu se po rritet edhe numri i inspektimeve në terren, duke e konsideruar këtë si një hap konkret në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat dhe publik.
Sipas tij, numri i inspektorëve të punës është trefishuar dhe do të pesëfishohet deri në fund të vitit, duke krijuar një sistem më të fuqishëm mbikëqyrjeje dhe kontrolli.
Postimi i plotë:
Edhe Kosova sikur më shumë se 100 vende të botës e shënon 1 Majin si ditë pushimi. Këtë ditë të lirë e kanë fituar vetë punëtorët. Sot shënohen përpjekjet dhe arritjet e vetë punëtorëve si lëvizje ndërkombëtare. Nën gjuhë e flamuj të ndryshëm por të bashkuar në klasë, në status pune e të punësuar, jemi rreth atyre që e mbajnë edhe shtetin edhe shoqërinë, me ata që jetojnë prej punës së vet.
1 Maji na rikujton të përbashkëtat që kanë punëtorët te ne, me punëtorët në botë.
Që prej fillimit të qeverisjes sonë po punojmë në dy kahje. Njëra është ajo e rritjes së punësimit, dhe, tjetra, është e punës me dinjitet. Duke u rritur punësimi, zvogëlohet mundësia e shfrytëzimit në punë, ngritet ekonomia, shtohet mirëqenia e gjallërohet shoqëria. Kjo është mundësia dhe efekti i atyre që punësohen, e vlefshme edhe për diçka tjetër të rëndësishme. Sa më shumë të punësuar zvogëlohet mundësia e shfrytëzimit e atyre që veçse janë në raporte pune. Sa më e ulët papunësia, ajo nuk mund të shërbejë si masë kërcënuese për ata që veçse janë të punësuar me mundësinë e zëvendësimit. Kahja e dytë është dinjiteti në punë. Në këto dy kahje, gjatë mandatit tonë tre herë i kemi rritur pagat në sektorin publik, kurse pagën minimale në sektorin privat dy herë – nga 135/170 në 264, e pastaj në 350 euro, kemi subvencionuar rritjen e pagës për 17 mijë punëtorë në sektorin privat e mbi 16 mijë të rinj mes moshës 18-29 vjeç janë punësuar përmes platformës qeveritare Superpuna, prej tyre më shumë se gjysma vajza dhe gra. Papunësinë e kemi ulur nga më shumë se 25% në më pak se 11%, e kemi rritur formalizimin e punësimit duke u ofruar kështu punëtorëve qasje në të drejtat e tyre që u takojnë me ligj, i kemi shtuar inspektimet sepse e kemi trefishuar numrin e inspektorëve të punës, dhe do ta pesëfishojmë deri në fund të vitit.
Ndërkaq, sindikatat tona duhet të jenë me më shumë punëtorë, e gjithnjë e më pak punëtorë pa sindikata. Dhe, ato të bëhen e të jenë pjesë aktive e rrjeteve të sindikatave në Evropë për më shumë solidaritet për njëri-tjetrin, organizim e mbrojtje të të drejtave dhe lirive të punëtorëve.