Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një intervistë për gazetën austriake “DerStandard”, ku ka folur ndër tjerash për dialogun me Serbinë, zgjedhjet potenciale në veri të Kosovës, çështjen e sigurisë në veri të vendit pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, si dhe për aspiratën e Kosovës për t’u bërë pjesë e Këshillit të Evropës.
E për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Kurti ka thënë se kjo duhet të ndodhë para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian si dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kjo pasi Kurti thotë se “disa shenja nuk janë të mira”, duke shtuar se “nuk dihet si do të duket bota pas dy viteve”.
“Jam optimist. Por është shumë e rëndësishme që kjo të ndodhë përpara zgjedhjeve të BE-së dhe SHBA-së, sepse disa shenja nuk janë të mira. Nuk e dimë se si do të duket bota pas dy vitesh. Në vend të çlirimit të plotë të Ukrainës dhe përfundimit të luftës atje, ne kemi një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme. Si rezultat, ka më pak vëmendje për Ballkanin”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë kësaj interviste, Kurti ka folur edhe për çështjen e dialogut me Serbinë – ku tregoi sërish se ishte i gatshëm sërish ta nënshkruante marrëveshjen e Brukselit.
Por ka shtuar se refuzimi ka ardhur prej presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që siç thotë Kurti “dashurinë dhe frikën ndaj Moskës e ka më të madhe sesa për Brukselin”.