Kryeministri Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit, ka thënë se marrëveshja për energjinë me Serbinë, që u nënshkrua dje në Bruskel e ka ndalur gjakderdhjen financiare në veri të vendit.
Kurti tha se me udhërrëfyesin që është dakorduar dje në Bruksel do të kursehen miliona euro pasi katër komunat në veri do të fillojnë sipas tij ta paguajnë rrymën.
“Pas më shumë se 20 viteve buxhetit të Kosovës do t’i kursehen miliona euro në vit, pasi 4 komunat në veri do të kalojnë në pagesat e rrymës. Udhërrëfyesi e mundëson këtë, kurse BE-ja do ta mbikëyqyrë atë, dhe me këtë përfundon problematika e mospagesës së rrymësKemi trashëguar shumë gjëra që s’kemi dashur, po bëjmë më të mirën me atë që kemi trashëguar, pra pas 20 viteve po e ndalim një gjakderdhje financaire në atë pjesë të vendit”, tha ai.
Për kundërshtimet që ia kishte bërë marrëveshjeve të 2013-ës dhe 2015-ës, Kurti tha se sërish mendon njëjtë por që disa gjëra i bën nga nevoja dhe përgjegjësia e jo nga dëshira.
“A janë të mira marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015, nuk janë të mira, njëjsoj siç kam thënë në vitin 2013 dhe 2015 them edhe sot, por ato i trashëguam dhe i gjetëm. Kur u bëra kryeministër i gjeta 38 komuna, po të pyetesha unë s’do të ishin 38 komuna, kur erdha unë i gjeta KEDS dhe KESCO po të isha unë s’do të ishin KESCO dhe KEDS.Disa gjëra nuk i bëj nga dëshira, por nga nevoja dhe përgjegjësia. Gjendja në terren është edhe më keq se ato marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, tha Kurti.
Shefi i qeverisë tha poashtu se nuk ka mundësi më të mira se kaq.
“Natyrisht se mund të ketë sfida, askush s’ thotë se gjithçka ka përfunduar me tekstin e djeshëm të udhërrëfyesin, por besoj që me bashkëpunimin që kemi me BE-në, do të mund ta bëjmë edhe furnizimin e qëndrueshëm por edhe faturimin dhe inkasimin në veri të Kosovës në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë të barabartë. Nuk kam mundësi të tjera më të mira se kaq, minimumi i pranimit të realitetit për maksimumin e ndryshimit të realitetit”, u shpreh Kurti.