Pas shqetësimeve të vazhdueshme nga grupe të ndryshme shoqërore në lidhje me masat e fundit të vendosura nga qeveria e Kosovës, kryeministri Albin Kurti ka dhënë 8 përgjigje në 8 pyetjet më të shpeshta për masat e reja anti-COVID.
Kurti tregoi në detaje se pse po shtrëngohen masat anti-COVID në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është shumë e mirë.
Ai ka thënë se me këto masa ka bërë një kompromis në mënyrë që diasporës t’ua mundësojë ardhjen në Kosovë në prag të festave të fundvitit.
Njoftimi i kryeministrit Albin Kurti
8 përgjigje në 8 pyetjet më të shpeshta mbi masat e reja kundër pandemisë COVID-19
Pse nuk mjafton më rezultati negativ në testin PCR apo në testin e shpejtë për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës?
Sipas të dhënave paraprake, varianti më i fundit i virusit Corona, i quajtur “Omicron”, përhapet dukshëm më lehtë dhe më shpejt sesa varianti aktualisht mbizotërues, varianti Delta. Ky fakt e bën rezultatin negativ, në vetvete, më pak të vlefshëm e më pak të sigurt si dëshmi.
P.sh., në dy avionë që janë nisur javën e kaluar nga Afrika e Jugut në Holandë, me gjithsej rreth 650 pasagjerë, pothuajse 10% të pasagjerëve rezultuan pozitivë në testimin pas mbërritjes, edhe pse testi negative ose vaksinimi i plotë ishte i obligueshëm para nisjes. Ndërsa, testi i shpejtë është dëshmuar të japë rezultate të gabuara negative (“false negative”) në një numër të konsiderueshëm të rasteve dhe, për këtë arsye, nuk do të konsiderohet më i pranueshëm si dëshmi.
Pse nuk mjafton më dëshmia që personi ka kaluar sëmundjen COVID-19 për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës?
Edhe në këtë drejtim, masat duhej të shtrengoheshin për shkak të të dhënave paraprake të dala nga OBSh-ja, të cilat tregojnë se varianti Omicron ka më shumë rrezik të shkaktojë ri-infektimin e personave të infektuar më parë me ndonjë variant tjetër të virusit Corona. Për këtë arsye, edhe ata që e kanë kaluar sëmundjen COVID-19, në mënyrë që mbrojtja e tyre të jetë sa më e lartë, do të duhet të vaksinohen.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e grumbullimeve që, çdo dhjetor, i shoqërojnë festimet e fundvitit, pse nuk po kërkohet, që tani, dëshmia për dy dozat e vaksinës, në vend që të vonohet zbatimi i kësaj mase deri më 3 janar 2022?
Masat e miratuara nga Qeveria pasqyrojnë një kompromis mes dy ekstremeve. Nga njëra anë, për arsyet e cekura më lart, jemi të detyruar të kërkojmë vaksinim me të paktën një dozë për ata që dëshirojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës. Nuk mund të pranojmë më hyrje të udhëtarëve vetëm me rezultatin negativ apo vetëm me dëshmi që e kanë kaluar më parë sëmundjen COVID-19.
Por nga ana tjetër, për të mos iu vendosur pengesa të paarsyeshme mërgimtarëve që dëshirojnë të kthehen në atdhe për festat e fundvitit, Qeveria ka vendosur të mos kërkojë menjëherë vaksinimin me dy doza. Po të kishte filluar, që tani, kërkimi i dy dozave të vaksinës për të hyrë në Republikën e Kosovës, kjo do të kishte pamundësuar ardhjen e atyre mërgimtarëve që ende nuk kanë marrë asnjë dozë, sepse doza e dytë e vaksinës nuk mund të merret menjëherë, por vetëm disa javë pas marrjes së dozës së parë.
Si një kompromis i arsyeshëm, pra, Qeveria ka vendosur që ta pranojë si dëshmi vaksinimin me një dozë, por vetëm nëse shoqërohet ose me rezultatin negativ në testin PCR brenda 48 orëve të fundit, ose me dëshminë që udhëtari ka kaluar sëmundjen COVID-19. Në këto dy raste, bashkimi i dy dëshmive (dmth. vaksinimi me një dozë, bashkë me një dëshmi tjetër) jep më shumë siguri sesa një dëshmi në vetvete.
Një udhëtar që ka kundërindikacione për mosvaksinim, a do të detyrohet të vaksinohet para se të hyjë në Republikën e Kosovës?
Jo. Sipas nenit 5.7 të vendimit, ka përjashtim për “Personat me dëshmi mjekësore që kanë kundërindikacione shkencërisht të vërtetuara për mosvaksinim. Personat e tillë duhet të paraqesin testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 48 orë”.
Po ashtu, ka përjashtime edhe për kategoritë si në vijim: “Personat të cilët hyjnë në Kosovë përmes aeroportit apo përmes pikave kufitare tokësore dhe largohen nga Kosova brenda tre (3) orësh përmes aeroportit ose pikave kufitare tokësore, me kusht që në hyrje të nënshkruaj deklaratën se do ta lëshojë Kosovën brenda tre (3) orësh; Personat, të cilët punojnë si transportues profesionist (vozitës), me kusht që të respektojnë protokollin për transport ndërkombëtarë për mbrojtje nga COVID-19; Shtetasit e Republikës së Kosovës që kanë dalë jashtë Kosovës në 12 orët e fundit;
Qytetarët e huaj, të cilët kalojnë nëpër Kosovë përmes transportit të organizuar me autobus ose me linjë të rregullt ndërkombëtare, transit, me kusht që të nënshkruhet deklarata se do ta lëshojnë territorin e Kosovës brenda pesë (5) orësh; Diplomatët e huaj, të akredituar në Kosovë; Personat nën moshën dymbëdhjetë (12) vjeçare”.
Çfarë ndodh nëse një udhëtar vjen në pikën kufitare pa asnjë dozë të vaksinës?
Shtetasit e Republikës së Kosovës, si dhe ata me leje qëndrimi në Kosovë, do të kenë mundësi të vaksinohen te pikat kufitare kryesore. Përkatësisht, sipas nenit 4 të vendimit, “Shtetasve të Republikës së Kosovës, si dhe personave me leje qëndrimi të përkohshëm ose të përhershëm në Kosovë, të cilët nuk posedojnë ndonjë nga dëshmitë 2.1 deri 2.3 dhe kërkojnë të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, iu jepet mundësia të vaksinohen nga ekipet mobile të vendosura në pikën kufitare ANP Adem Jashari (për ata që hyjnë në rrugë ajrore), dhe në pikat kufitare në Vërmicë, Merdare, Dheu i Bardhë, Hani i Elezit (për ata që hyjnë në rrugë tokësore)”.
Pse po shtrëngohen masat në një kohë kur gjendja epidemiologjike në Kosovë është më e mira jo vetëm në rajonin e Ballkanit Perëndimore por edhe në Evropë?
Kemi vërejtur në valët e mëparshme të kësaj pandemie se sa shpejt mund të kalojë një gjendje e shkëlqyeshme epidemiologjike në një gjendje të rëndë. Dalja jashtë kontrollit e situatës do të vinte me një çmim jashtëzakonisht të lartë, qoftë për jetën e shëndetin e qytetarëve, qoftë edhe për veprimtaritë ekonomike, kulturore dhe shoqërore të vendit, në rast të një mbylljeje eventuale.
Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të ndërmarrë çdo veprim brenda mundësive të veta për të ruajtur gjendjen e shkëlqyeshme epidemiologjike në vend, të cilën e kemi arritur bashkë si shoqëri. Për më tepër, ka edhe dy arsye të tjera për shtrëngimin e masave pikërisht në kufi. Së pari, gjatë javëve të fundit, rastet e COVID-19 janë rritur jashtëzakonisht shumë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor.
Kjo do të thotë se, për momentin, rreziku më i madh për një përhapje eventuale të COVID-19 në Kosovë vjen nga udhëtarët prej jashtë vendit. Së dyti, shfaqja e variantit Omicron, si dhe përhapja e tij në shumë vende evropiane brenda një periudhe të shkurtër, e ka detyruar Qeverinë që të veprojë me shpejtësi dhe vendosmëri në shtrëngimin e masave në kufi. Edhe më shqetësues është fakti se, sipas të dhënave paraprake, ky variant paraqet rrezik shumë më të lartë për grupmoshat e reja, sidomos për fëmijët nën moshën pesëvjeçare, në krahasim me variantet e mëparshme të virusit Corona.
Pse nuk kemi ndjekur shembullin e vendeve të tjera, duke ndaluar udhëtarët nga vendet ku janë shfaqur rastet e variantit Omicron?
Qeveria merr vendime për masa anti-COVID ekskluzivisht mbi baza shkencore dhe shëndetësore. Shkenca e epidemiologjisë dhe historia e epidemive dhe pandemive na tregojnë se, derisa të vërtetohet një rast i një sëmundjeje në një vend të caktuar, ajo sëmundje me gjasë do të ishte përhapur tashmë përtej kufijve të atij vendi.
Në fakt, ky model është vërtetuar edhe në rastin e variantit Omicron, i cili është vërtetuar të kishte qenë në qarkullim në Evropë të paktën një javë para se të zbulohej në Afrikën e Jugut.
Ndalesat selektive kundër vendeve specifike, pra, janë gati gjithmonë një hap prapa realitetit dhe, rrjedhimisht, janë të padobishme. Ndërsa, një ndalesë kategorike e udhëtimit nga jashtë (me fjalë të tjera, mbyllja e kufijve) mund të jetë efikase, porse është një masë që nuk duhet ndërmarrë përveç në rastet më ekstreme apo më të paqarta, siç ka qenë situata në fillimin e pandemisë.
A nuk është shkelje e të drejtave të njeriut kushtëzimi me vaksinim i hyrjes së shtetasve në territorin e Republikës së Kosovës?
Jo. Lidhur me këtë, disa fakte duhet të merren parasysh. Së pari, masat anti-COVID rishqyrtohen nga Qeveria në vazhdimësi sipas zhvillimeve të reja. Nëse përmirësohet apo qartësohet situata sipas të dhënave të publikuara nga OBSh-ja gjatë javëve në vijim, sidomos në lidhje me variantin Omicron, ky kushtëzim mund të hiqet dhe mund të ofrohet opcioni i karantinimit shtëpiak 7-ditor për ata që refuzojnë të vaksinohen.
Së dyti, në disa vende të Evropës, vaksinimi është bërë i detyrueshëm për të gjithë popullatën ose për një pjesë të konsiderueshëm të saj (shih, p.sh., Austrinë dhe Greqinë), në të gjithë territorin e vendit. Masa e vendosur nga Qeveria është më e butë sesa kjo, sepse vendoset vetëm për ata që hyjnë nga jashtë por jo edhe për ata që janë tashmë brenda territorit të Kosovës.
Ekspertët tanë shëndetësorë kanë vlerësuar se, tani për tani, një masë e tillë më e butë iu përgjigjet mjaftueshëm rreziqeve kryesore për përhapjen e sëmundjes COVID-19 në Kosovë. Këto rreziqe, edhe një herë, vijnë kryesisht nga jashtë vendit.
Së treti, jo vetëm Republika e Kosovës por shumë e shumë vende të tjera të Evropës dhe të botës, po vendosin kufizime shumë më të rrepta (disa vende, p.sh., i kanë anuluar për një periudhë të caktuar të gjitha fluturimet nga jashtë), por me shpresë që këto kufizime do të jenë të përkohshme.
Qeveria e ka situatën nën vëzhgim të vazhdueshëm. Jo vetëm kjo masë, pra, por edhe masat e tjera kufizuese, do të lirohen në momentin e parë që të ketë mundësi, gjithmonë pa e rrezikuar jetën e shëndetin e qytetarëve./Gazeta Enigma/