Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar të vrarët nga Podujeva e Izbica e Skenderajt, të cilët u ekzekutuan e masakaruan nga forcat ushtarake e policore serbe 23 vjet më parë.
Përmes një reagimi në facebook, Kurti shkruan se përkujtimi i mizorive të regjimit serb, tregon se sa të hapura janë plagët dhe sa e madhe është dhimbja.
”7 fëmijë nga mosha 2 deri në 15 vjeç dhe 7 gra të familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, u pushkatuan 23 vjet më parë në Podujevë nga njësiti rezervë policor serb “Shkorpionët”.
Në këtë masakër humbi 16 anëtarë të familjes e u mbijetoi 16 plumbave Saranda Bogujevci. Ajo sot është Nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Rreth 80 kilometra më larg, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe rrethuan mijëra civilë të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth. Nga turma i morën 147 burra dhe djem, të cilët i ekzekutuan në vend.
Të dy masakrat u kryen më 28 mars 1999, katër ditë pas fillimit të intervenimit të NATO-s dhe në 10 vjetorin e Kushtetutës së Serbisë, që vulosi suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Në çdo pranverë përkujtimi i mizorive të regjimit serb na e tregon se sa të hapura janë plagët e sa e madhe mbetet dhimbja.
“I përjetshëm qoftë kujtimi për ta”, ka shkruar Kurti./Gazeta Enigma/