Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim Shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve Parlamentare në Kosovë 2025, Nathalie Loiseau.
Gjatë takimit, Loiseau i dorëzoi kryeministrit raportin përfundimtar të misionit mbi zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt 2025.
Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për angazhimin e Misionit të BE-së në mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe theksoi rëndësinë e rekomandimeve të raportit për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve demokratike në vend.
Sipas njoftimit të Kryeministrisë, gjatë diskutimit, Kurti ngriti disa çështje me rëndësi që lidhen me procesin zgjedhor, përfshirë siç thuhet “mungesën e verifikimit nga gazetarët hulumtues profesionistë të realizueshmërisë së premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore nga përfaqësues të partive politike, veçanërisht nga kandidatët për kryeministër, të cilat rrezikojnë të cenojnë besimin e qytetarëve dhe dëmtojnë demokracinë; -financimin e fushatave zgjedhore të partive politike, duke theksuar nevojën për transparencë të plotë të burimeve të financimit dhe kontributeve të marra gjatë fushatës dhe stërgjatjen e numërimit të votave”.
“Theks të veçantë, kryeministri i dha konstatimit të Misionit për ndërhyrje të jashtme në procesin zgjedhor, i cili ndër të tjera ka evidentuar përhapjen e dezinformatave nga mediat ruse me bazë në Serbi, si “RT Balkans” dhe “Sputnik Srbija” që kanë shpërndarë mbi 60 artikuj me synonim manipulimin e komunitetit serb në Kosovë. Këto përpjekje për dezinformim përbëjnë një kërcënim serioz për integritetin e zgjedhjeve dhe stabilitetin demokratik të vendit”, thuhet tutje.
Sipas njoftimit për media, në këtë takim, si konstatim i përbashkët, u vlerësua lartë sjella e qytetarëve përgjatë procesit zgjedhor dhe niveli i lartë i demokracisë pa incidente.
“Kryeministri Kurti riafirmoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për të adresuar rekomandimet e raportit”, thuhet në njoftim.