Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka shuar idenë për ripërcaktimin e kufijve, por po e kthen fuqishëm Asociacionin.
Sipas Molliqaj, Kurti do ta zbatojë Asociacionin nga frika e humbjes së pushtetit.
“Mungesa e vizionit për dialogun është prania e tepruar e vetes, deri në verbëri brenda tij dhe rreth tij. Asnjë zgjidhje e qëndrueshme nuk do të vijë për sa kohë shikimi nuk shkon kah e ardhmja. Llogaritë e Kurtit për ta zbatuar Asociacionin janë llogaritë e frikës për pushtetin e tij.
Kostoja e Asociacionit kushton më pak vota, thotë ai. Konflikti mbetet te dera sërish. Politika e ka të garantuar edhe në të ardhmen një armik të jashtëm qe shtrin tentakulat dhe gjeneron bashkëpunëtorë – armiq të brendshëm”, ka shkruar Molliqaj.
Ai ka vazhduar kritikat për Kurtin, duke thënë se është pa projekt e pa vizion dhe se është personazh që është rritur nga dështimet e tjerëve.
“Pa projekt e pa vizion, kështu janë ato personazhet që rriten nga dështimet e tjerëve, dhe përfitojnë nga puna e tjerëve”, ka shkruar Molliqaj.