Kurti: Plani i zbatimit të propozimit evropian të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe efikasiteti

Kurti: Plani i zbatimit të propozimit evropian të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe efikasiteti

Gjithëpërfshirës dhe efikas duhet të jetë plani i zbatimit të propozimit evropian, ka thënë të mërkurën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta Enigma.

Kurti qe pajtuar me përmbajtjen e propozimit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, në takimin e 27 shkurtit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Ai është shprehur i gatshëm për ta nënshkruar dokumentin, por ka thënë se kjo është refuzuar nga Serbia. Përmbajtja e propozimit, sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, tashmë është dakorduar dhe nuk do të ndryshojë. Palët pritet të takohen më 18 mars në Ohër për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit të propozimit.

“Pritjet tona janë që do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e datës 18 mars në Maqedoninë e Veriut në Ohër dhe të shohim se si do të mund të ja bashkëngjisim përkufizim të dakorduar evropian dhe një plan të mirëfilltë zbatimi që duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja dhe nga efikasiteti”, ka thënë Kurti, pas një vizite në një biznes në Graçanicë, raporton KP.

I pyetur nëse do të ketë nënshkrim në takimin e radhës, Kurti ka thënë se ishte i gatshëm për nënshkrim më 27 shkurt.

“Unë isha i gatshëm për të nënshkruar kur isha në Bruksel, andaj për marrëveshje duhen dy palë dhe nuk mjafton vetëm njëra. Është dëm që teksti i dakorduar me pesë fjali në preambulë dhe 11 nene gjithsej tashmë nuk është nënshkruar me datën 27 shkurt. Dhe pse nuk ka nënshkrime, përgjigjen duhet ta kërkoni tek të tjerët”, ka thënë Kurti.

Para takimit të 18 marsit, Kurti pritet të takohet me emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. /Gazeta Enigma/

Related Articles