Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përdorimin e Urës së Ibrit si mjet për fushatë paraelektorale.
Abazi deklaroi se Kurti ka pësuar një humbje të trefishtë përballë bashkësisë ndërkombëtare dhe se me fokusimin te çështja e Urës së Ibrit po përpiqet të largojë vëmendjen nga çështjet më të rëndësishme.
“Deklarata e presidentes sot është pjesë e përplasjes së vazhdueshme me Kurtin, një konflikt që ka kohë që po vazhdon mes dy krerëve të shtetit. Toni i presidentes sot ishte i fortë, në përpjekje për të mos u identifikuar si mbështetëse e Bashkësisë Ndërkombëtare në dëm të interesit publik, pasi në fund të fundit, ura ndodhet në Kosovë,” u shpreh Abazi për klan kosovën.
Ai shtoi se është fatkeqësi që Kurti po e përdor këtë çështje për të krijuar material paraelektoral, duke tensionuar marrëdhëniet me bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas tij, kjo tregon një përpjekje për të larguar vëmendjen nga çështjet kryesore, përfshirë dhe raportet e tensionuara me presidenten Vjosa Osmani.
Abazi theksoi se Kurti ka tentuar ta eliminojë politikisht Osmanin dhe se tani po përdor Urën e Ibrit për të ndërtuar fushatën e tij elektorale.