“Kurti po synon zgjedhje të reja pa u dukur fajtor për dështimin”

“Kurti po synon zgjedhje të reja pa u dukur fajtor për dështimin”

Analisti politik Shemsi Jashari ka komentuar dështimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për përpjekje të qëllimshme për ta zvarritur formimin e institucioneve.

Në emisionin FIVE të Dukagjinit, Jashari ka thënë se veprimet e Kurtit janë pjesë e një strategjie për të shmangur përgjegjësinë për dështimin e procesit të formimit të institucioneve të reja.

“Ajo çka kemi diskutuar qe një kohë të gjatë, gjatë këtij procesi që kanë përfunduar zgjedhjet edhe veprimet që zoti Kurti i ka bërë në vazhdimësi ka lënë me kuptu që njëra prej tendencave të tij është zvarritja e formimit të institucioneve. E me gjasë edhe vonesa në maksimum për të shikua mundësin që të shkohet të zgjedhje, por pa e marrë barrën e përgjegjësisë se ky proces i themelimit të institucioneve, në këtë rast të Kuvendit, dështon për fajin e tij”, ka thënë Jashari.

Jashari kritikoi veçanërisht mënyrën se si është menaxhuar çështja e dorëheqjeve të kryeministrit dhe ministrave që janë zgjedhur deputetë.

Ai ka theksuar se dorëheqjet nuk janë bërë me kohë, duke i pamundësuar Komisionit për Verifikimin e Mandateve që të ketë një pasqyrë të qartë ligjore dhe të shmangë situatën ku një zyrtar është njëkohësisht edhe pjesë e ekzekutivit, edhe deputet.

“Ajo çka pamë sot në seancën e Kuvendit ishte një përpjekje për t’i marrë edhe partitë opozitare, duke bërë një shkelje procedurale, që nuk ka dhënë dorëheqje stafi i qeverisë me kohë. Në mënyrë që Komisioni për Verifikimin e Mandateve t’i ketë para vetes (dorëheqjet) dhe ta ketë të qartë që nuk po bëhet një shkelje, ku dikush po betohet si deputet dhe është aktiv edhe në ekzekutiv”, ka shtuar Jasahri.

Kujtojmë se raporti i Komisionit për Verifikimin e Mandateve nuk arriti të miratohej, pasi PDK, LDK dhe AAK votuan kundër, duke e cilësuar si të paplotësuar dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

Pas kësaj, seanca u ndërpre dhe pritet që Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, të njoftohet për hapat e mëtejmë.

Related Articles