Kurti: Prania e “Kuqezinjve” dhe “Dardanëve” në Botëror do të ishte moment historik për kombin

Kurti: Prania e “Kuqezinjve” dhe “Dardanëve” në Botëror do të ishte moment historik për kombin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë një mesazh mbështetës për kombëtaren e Kosovës dhe të Shqipërisë në prag të ndeshjeve tejet të rëndësishme në gjysmëfinale të playoff-it të kualifikimit për Botëror përballë Sllovakisë dhe Polonisë.

Ai uroi që lojtarët të tregojnë kurajo, forcë dhe përkushtim, duke luajtur me mendje dhe zemër për të arritur fitore.

Kreu i Qeverisë vlerësoi gjithashtu rritjen e talentit sportiv shqiptar, duke e cilësuar këtë shekull si një periudhë të suksesit edhe në sport. Sipas tij, ëndrrat realizohen nga ata që guxojnë dhe besojnë në vetvete.

Në fund, kryeministri shprehu dëshirën që skuadrat shqiptare, “Kuqezinjtë” dhe “Dardanët” – të arrijnë kualifikimin në Botëror, duke theksuar se prania e tyre në një kompeticion të tillë madhor do të ishte një moment historik për kombin.

Ai përmbylli mesazhin e tij me thirrjen për mbështetje dhe mirënjohje ndaj sportistëve për emocionet që dhurojnë: “Forca, përpara dhe faleminderit për çdo emocion!”.

Related Articles