Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mirëpriti në takim ambasadorin e ri të Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se Kurti e uroi Kraevskin për detyrën e re, duke shprehur vullnetin e plotë për bashkëpunim dhe fuqizim të mëtejmë të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Ai e falënderoi Bullgarinë për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj vendit tonë drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare si dhe bashkëpunimin e ngushtë rajonal e kontributin e saj në sigurinë rajonale si anëtare e NATO-s”.
“Republika e Kosovës dhe Bullgaria kanë marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim të mirë institucional. Rritja e shkëmbimeve tregtare dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, kulturës, inovacionit, sigurisë e mbrojtjes ishin ndër temat e diskutimit”, thuhet në njoftim.