Analisti politik, Vehbi Kajtazi, ka thënë se kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk duhet të shkojë në tavolinën e negociatave me Serbinë, pa u dorëzuar krimineli Milan Radojiçiq.
Sipas Kajtazit, pa ndodhë kjo, nuk mund të ketë dialog me dikë që shtetin e Kosovës e ka sulmuar me armë.
“Ne kemi thirrje të vazhdueshme për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve, por nuk ka bisedime më, për shkak se Serbia po strehon terroristë, të cilët kanë kryer një akt agresioni në Kosovë. Situata tani është krejt ndryshe”.
“Kurti nuk duhet të negociojë me Serbinë pa e dorëzuar Milan Radojiçiqin në Kosovë dhe pa i dorëzuar terroristët tjerë, ky duhet të jetë kushti i parë. .Pa ndodhë kjo, nuk mund të ketë dialog me dikë që të ka sulmuar me armë. Për çka mund të dialogosh me të. Pa ndodhur kjo, nuk duhet të ketë negociata sepse kemi me hy në bisedime në kushtet e një organizate”, tha Kajtazi në Rubikon në Klan Kosova.
Më tej, Kajtazi foli edhe për qëllimin e grupit terrorist, për të cilët tha se qëllimi i tyre ka qenë ta marrin atë pjesë në veri dhe të krijojnë një zonë të lirë.
“Ka pasur mbështetje të madhe nga Serbia, të organizuar totalisht atje, me ndihma të para e me armatim. Pastaj, atë pjesë me e fut nën kontrollin e tyre. Terreni është shumë i papërshtatshëm dhe do të kishte gjakderdhje dhe humbje edhe nga pala jonë dhe do të ishte krijuar një gjendje lufte”.
“Por, fatmirësisht përfundoi me kaq. Sot, ambasadori amerikan tha që do të ketë sulme të tjera në veri të Kosovës dhe këtu është frika tani se si do të vazhdojë më tutje”, tha ai.