Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë për media, në të cilën është folur në lidhje me Projektligjin e Pagave si dhe atë të zyrtarëve publik.
Gjatë kësaj konference, Kurti është pyetur në lidhje me takimin urgjent që pati dje me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ku ndër të tjerash theksoi se është diskutuar në lidhje me krizën energjetike, si dhe sulmet e shumta kibernetike në drejtim të institucioneve të dy vendeve.
“Takimi i djeshëm ka qenë një drekë pune me kryeministrin Rama dhe ka qenë takim shumë i mirë konstruktiv e pozitiv. I nevojshëm për shkak të temave që kemi diskutuar. E para është siguria kibernetike. Kjo ka qenë tema e parë e diskutimit dhe isha shumë i interesuar të marrë vesh sa më shumë për përvojën e tyre për sulmet e fundit që kanë qenë shumë të dëmshme. Keni parë që sot kemi themeluar agjencia për sigurinë kibernetike.Tema e dytë ka qenë sfidat e energjisë në muajt në vijim, në kuptimin e furnizimin e qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme. KEK dhe KESH bashkëpunojnë ngushtë, gjatë verës u kemi dhënë shumë energji elektrike në Shqipërisë që ata të na ndihmojnë gjatë dimrit”,tha Kurti.
Ai theksoi se janë njoftuar se çfarë po ndodhë në Kosovë dhe në Shqipëri edhe në aspektin e politikave.
“Kemi njoftuar se çfarë po ndodhë në Kosovë dhe Shqipëri, edhe në aspektin e politikave por edhe të kapacitete dhe efekteve sociale të krizës energjetike. E njoftova Ramën se ne jemi të parët në Ballkan që kemi marrë masën për shpërblimin për ata që kursejnë. Ne japim dyfishin e kursimit e atyre që në faturën e muajve të vjeshtës e në dimër e kanë më të ulët krahasuar me muajt paraprak. Dhe tema e tretë ka qenë vizita e kancelarit gjerman, Olaf Scholz. Sepse e dini se takimet e mëhershme të Berlinit janë bërë në kohën kur palët ishin të tjera. Tash për herë të parë takimi i radhës bëhet nga kancelari Scholz dhe ka shumë punë të ekipeve tona dhe bashkëpunim paraprak drejtë mbledhjes së radhës të procesit të Berlinit”,shtoi Kurti.