Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është bashkuar fushatës “Thuaj jo qeseve të plastikës” dhe ka pranuar nga shoqata “HANDIKOS” strajcë të ripërdorshme të punuar nga personat me aftësi të kufizuara.
Ndryshe, shefi i ekzekutivit ka thënë se duhet krijuar një paketë legjislative për mbrojtjen e ambientit.
“Edhe duhet të kujdesemi për ata të cilët janë më të varfër, më të dobët, të sëmurë apo me nevoja të veçanta por njëkohësisht edhe duhet të kuptojmë që burimet natyrore janë të fundme dhe ato janë edhe mjedis jetësor e jo vetëm lëndë e parë për teknologji. Andaj edhe kjo iniciativë është shumë e mirë, ne kemi nevojë për përgjegjësi institucionale dhe vetëdijesim shoqëror. Ajo çka duhet të bëjmë është të krijojmë një grup punues në të cilin marrin pjesë ministra të caktuara me komision parlamentar por gjithashtu edhe shoqëria civile dhe bizneset, në mënyrë që ta bëjmë një paketë legjislative për mbrojtjen e ambientit”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit, duhet synuar zvogëlimi i qeseve të plastikës dhe një gjë e tillë, ka theksuar, se mund të bëhet më shpejtë nga maketet e mëdha.
E drejtori i shoqatës “Handikos”, Afrim Maliqi ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të ndikojnë që të eliminohen qeset e plastikës.
“Këto janë të punuara prej vet personave me aftësi të kufizuar, këto torba, thjeshtë mbrojtja e ambientit ka të bëjë me të gjithë qytetarët pa dallim dhe të arrijmë barazinë qytetare që edhe personat me aftësi të kufizuar të jenë jo vetëm të barabartë por edhe pjesëmarrës në të gjitha proceset”, ka thënë Maliqi.
HANDIKOS” dhe “The Balkan Forum” kanë filluar sot kampanjën “Thuaj jo qeseve të plastikës” ku gjatë ditës së sotme qëndrojnë në sheshin “Skënderbeu” dhe atë “Nënë Tereza” në Prishtinë duke prezantuar strajcat e ri-përdorshme që janë punuar tash e disa muaj nga personat me aftësi të kufizuara.