Kurti: S’kemi nevojë të rrisim numrin e veteranëve, i bëjmë dëm historisë

Kurti: S’kemi nevojë të rrisim numrin e veteranëve, i bëjmë dëm historisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur për dështimin e marrëveshjes me veteranët e UÇK-së.

Kurti në një konferencë për media ka thënë se ndarja e pagës minimale nga pensioni i veteranit sipas tij është bërë nga Qeveritë e mëhershme.

Tutje, sipas Kurtit, rritja e pagës minimale do të prek mbi 100 mijë qytetarë.

“Ndarja e pensionit të veteranit nga paga minimale është bërë para shumë viteve nga Qeveritë paraprake. Ne e kemi miratuar Projektligjin që bën rritjen e pagës minimale me ç’rast preken 105 mijë punëtorë në Kosovë. Veç kësaj, përmes atij projektligji arrijmë që asnjë qytetar të mos paguajë tatim deri tek paga minimale. Edhe nëse e ke pagën menjëherë mbi 80 euro, fillon e paguan tatim prej 4%”, tha ai.

Kurti tha se para rritjes së beneficioneve të veteranëve, duhet të ketë pastrim listash.

“Ua kam shpjeguar dje në takim se unë nuk besoj që në Republikën e Kosovës, fjalën veteran dhe luftëtarë çlirimtar dhe pagë, duhet t’i kemi në të njëjtën fjali. Këto janë benificione, por jo pagë”, tha tutje ai.

“Kjo nuk do të thotë që ata nuk meritojnë benificione. Unë besoj që benificionet duhet të jenë më të mëdha se paga minimale. Nuk kemi nevojë ta shtojmë numrim e veteranëve që të jemi më krenarë. Nuk kemi nevojë të fryjm lista, ajo u bën dëm studiuesve të historisë. Të rinjtë do të lexojnë tekste, dhe nëse në to nuk i kemi të dhëna të sakta, ne i bëjmë dëm historisë tonë”, tha Kurti.

Ai bëri të ditur se propozimet me shkrim do t’u shkojnë veteranëve gjatë javës së ardhshme.

“Propozimet me shkrim do t’u dërgohen gjatë javës së ardhshme. Dhe po punojmë në një ofertë përmbajtësore për organizatat e dala nga lufta. Jam i hapur për dialog, zyrën time e kanë të hapur për të gjitha takimet dhe dilemat”, tha ai.

Related Articles