“Kurti sot e dëshmoi se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim”

“Kurti sot e dëshmoi se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim”

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka reaguar rreth vendimit të Qeverisë për ndarjen e 100 eurove për disa kategori.

“Mungesën e politikave zhvillimore e investimeve të mëdha kapitale në vend, po e zëvendësojnë me popullizëm. Këtë herë nga 100 euro lëmoshë secilit – pa ndonjë kriter, pa ndonjë kategorizim. Kanë ose s’kanë përfituesit, nuk ka fare rëndësi, të gjithë do të marrin njëjtë”, ka shkruar Abdixhiku.

Tutje Abdixhiku ka theksuar se 100 euro vetëm për një muaj nuk zbusin asgjë.

“Përveç se e padrejtë, kjo politikë sociale është edhe pa efekt. Në njërën anë 100 euro për vetëm një muaj, s’zbusin asgjë; në anën tjetër 100 milionë euro gjithsej janë para të humbura me një vendim. Nuk besoj se ka pasur, ka e do të ketë diku tjetër në botë ndonjë politikë kaq të madhe me kaq pak ndikim. Popullzimi këtë ka. Blenë paqe sociale duke ushqyer varfërinë”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Abdixhikut, Kurti beson se me intervenim një mujor, mund ta bëj të harrohet kriza e përballueshmërisë.

“Albin Kurti sot dëshmoi përfundimisht se nuk ka ide e as njohuri për zhvillim. Beson se me intervenim një mujor, mund ta bëj të harrohet kriza e përballueshmërisë. Me 100 euro s’blihet shtrenjtimi i rrymës për 100%. Me 100 euro s’blihen vizat e punës për 120 mijë kosovarë. Me 100 euro s’blihet inflacioni dyshifror që vazhdon edhe përtej këtij muaji të shënojë rritje rekord. Me 100 euro s’blihen pagat e ulëta në sektorin privat e publik pa dallim. Me 100 euro nuk blihet papunësia, nepotizmi, mungesa e investimeve e regresi shoqëror. Politika zhvillimore është art. Këtë art, eksperti – tani i komunikacionit rrugor dhe gjurmëve në asfalt – s’ka se si ta kuptojë”, thuhet në shkrimin e tij.

Në qeverisjen time, masa të tilla të çastit e pa ndikim, s’do të kenë vend në asnjë vendim, ka thënë Abdixhiku.

“E kundërshtoj secilën politikë populliste. Edhe këtë të tanishmen dhe secilin propozim a masë të ngjashme të marrë deri më tani nga kushdo qoftë ai. Në qeverisjen time, masa të tilla të çastit e pa ndikim, s’do të kenë vend në asnjë vendim. Njerëzit në hall natyrisht se mirëpresin secilën ndihmë. Por duke i privuar ata nga projektet madhore e zhvillimore, në këmbim të lëmoshës së përkohshme, politikanët tregojnë jolidership. Mund dhe të merr kohë, por do ta kuptoni, se kjo lloj politike është tregtim i së ardhmes tuaj për një grusht mbështetje të përkohshme që s’zgjat as edhe një muaj”, ka shkruar ai./Gazeta Enigma/

Related Articles