Kurti: Strategjia e Arsimit 2022-2026, dokumenti kryesor për zhvillimin e arsimit në vendin tonë

Kurti: Strategjia e Arsimit 2022-2026, dokumenti kryesor për zhvillimin e arsimit në vendin tonë

“Jemi bashkë në angazhim e bashkëpunim, për jetësimin e objektivave të kësaj strategjie, me përgjegjësinë më të lartë ndaj atdheut, ndaj fëmijëve dhe të rinjve tanë, që t’u mundësojmë atyre arsimim e zhvillim cilësor”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kuti, në lansimin e Strategjisë së Arsimit 2022-2026, që u lansua sot me një ceremoni të organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Kjo strategji është dokumenti kryesor për zhvillimin e sektorit të arsimit në vendin tonë, në pesë objektiva strategjike, për periudhën e ardhshme pesëvjeçare, shtoi ai.

Edukimi në fëmijërinë e hershme; ngritja e cilësisë së arsimit parauniversitar; harmonizimi i arsimit dhe aftësimit profesional me zhvillimet e teknologjisë dhe tregut të punës; cilësia, integriteti dhe konkurrueshmëria e arsimit të lartë; si dhe përdorimi i teknologjisë digjitale për përmirësimin e shërbimeve dhe të cilësisë në arsim, në përputhje me trendet e transformimit digjital; janë shtyllat kryesore, për zhvillimin tonë të gjithmbarshëm, tha Kurti.

Kurti theksoi se arsimi cilësor është burim i rëndësishëm për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e shoqëror të Kosovës, andaj Qeveria do të vazhdojë me investimet në këtë fushë.

“Për këtë Qeveria ka ndarë 3.5 milionë euro për ofrimin e praktikës profesionale për nxënësit e shkollave të arsimit dhe aftësimit profesional, 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe djemve për të ndjekur profile deficitare, si dhe rreth 1 mijë kuponë për maturantë të shkollave profesionale për të ndjekur kurse të teknologjisë së informacionit. Digjitalizimi është ndër prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha fushat, sigurisht në administratë, sigurisht në shëndetësi, sigurisht në industri, por posaçërisht në arsim. Për vitin akademik 2021/2022 i kemi ndarë 1365 bursa universitare për studentet në fushat e shkencës, teknologjisë, inxhinierisë dhe matematikës”, tha ai.

Kryeministri ritheksoi se Qeveria dhe institucionet e Republikës së Kosovës janë të fokusuara e të angazhuara për të ofruar mundësi maksimale në arritjen e potencialeve sa më të larta për të vegjlit e të rinjtë tanë, vajzat e djemtë, për të tashmen, por edhe për të ardhmen e tyre, të shoqërisë e shtetit tonë.

Related Articles