Kryeministri në detyrë Albin Kurti, tha se marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian do të jetë një nga angazhimet e partisë së tij, aty ku sot Kurti mori bekimin që të jetë sërish mandatar për emrin e kryeministrit.
Kurti tha se synon që Kosova, deri më 2030, të përfundojë të gjithë kapitujt nga procesi i integrimit, drejt anëtarësimit në BE.
“Do të zgjerojmë dhe thellojmë marrëdhëniet dypalëshe me shtetet mosnjohëse, me theks të veçantë me shtetet mosnjohëse të NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Evropës. Me 15 dhjetor 2022, siç e dini të gjithë, zyrtarisht dorëzuam aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian me synim marrjen e statusit kandidat në Pragë të Republikës Çeke kur ajo kishte presidencën e Bashkimit Evropian. E synimi ynë është që deri në vitin 2030, vendi ynë të ketë përmbyllur me sukses të gjithë kapitujt nga procesi i integrimit, drejt anëtarësimit në BE”, tha Kurti. /Gazeta Enigma