Kurti takohet me përfaqësuesit të komunitetit të energjisë në Austri

Kurti takohet me përfaqësuesit të komunitetit të energjisë në Austri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës zyrtare në Austri është pritur në takim nga Dirk Buschle, zëvendës drejtor i Sekretariatit dhe Arben Kllokoqi, ekspert i Tregut të Energjisë Elektrike në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë.

“Përfaqësuesit e Komunitetit të Energjisë theksuan gatishmërinë për të mbështetur Kosovën në çdo aspekt, duke përfshirë vizionin për sektorin e energjisë dhe për tranzicion energjetik”, thuhet në komunikatën e zyrës së Kryeministrit.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u tha se, “Kosova duhet të shfrytëzojë kapacitetet e saj të qymyrit, ndërsa duhet filluar largimi gradual në mënyrën e duhur, si dhe të ketë masa rehabilituese për të mbështetur tranzicionin”.

Kryeministri Kurti, ka veçuar edhe punën e Qeverisë për Strategjinë Kombëtare të Energjisë 2022-2031, që për herë të parë në Kosovë hartohet duke u bazuar në të dhëna e studime.

Ndërsa, u diskutua edhe për bashkimin e tregjeve të energjisë në përputhje me Agjendën Evropiane për integrimin e tregjeve.

Anash nuk u lanë as çështjet problematike të ndërlidhjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila nuk po shfrytëzohet komercialisht, për shkak të pengesave nga pala serbe.

U bisedua edhe për sfidat e furnizimit me energji elektrike, meqenëse po i afrohemi stinës së dimrit, në një periudhë të ngritjes së jashtëzakonshme të çmimeve të energjisë elektrike, thuhet në komunikatë.

Related Articles