Në takimin mes kryeministrit Albin Kurti dhe shefes së Zyrës Ndërlidhëse Greke, ambasadores Chryssoula Aliferi, u diskutua për raportet mes Kosovës dhe Greqisë dhe vullnetin e të dyja palëve për thellimin e tyre.
Në takim u diskutua edhe për situatën në rajon dhe dialogun me Serbinë, derisa u tha se agresioni ushtarak i Federatës Ruse në Ukrainë paraqet rrezik edhe për rajonin tonë, duke pasur parasysh ndikimin e Federatës Ruse nëpërmjet partneritetit të saj me Serbinë.
Aliferi shprehu vlerësimin e palës greke për rreshtimin e menjëhershëm të Kosovës me vendet e tjera demokratike, në mbështetje të pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe për gatishmërinë për të ndihmuar refugjatët ukrainas.
Shefi i qeverisë kosovare falënderoi ambasadoren Aliferi për angazhimin e saj për përparimin e raporteve mes Kosovës dhe Greqisë përgjatë mandatit të saj si shefe e zyrës ndërlidhëse dhe i uroi sukses në detyrat e radhës./Gazeta Enigma/