Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.
Gjatë kësaj ngjarje, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj garuesit të Kosovës, paraatletin Grevist Bytyqi, i cili mori pjesë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”, në garën e vrapimit 1 mijë e 500 metra në kategorinë T46, të cilën ai e mbylli në pozitën e 15-të.
“Kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me anë të investimeve të saj ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e sportit paralimpik, teksa shtoi se nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike.
“Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sport”, tha Kurti.
Ai shtoi se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024.
Tutje, Kurti tha se duhet fuqizim i përpjekjeve, bashkim i forcave e nxitje për talentet që të arrijnë majat e sportit.