Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i ka pritur në takim ish-presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiun dhe ish-shefin e UNMIK-ut, Joachim Rucker.
Kurti, vlerësoi lart kontributin dhe rolin e Gjermanisë në zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Gjatë takimit ish-presidenti Sejdiu e informoi Kurtin për lansimin e autobiografisë së tij të titulluar “Ora e Kosovës”, një vepër që rrëfen përvojat dhe sfidat në udhëheqjen e vendit.
Po ashtu, Sejdiu dhe Rucker, ndanë me kryeministrin detaje rreth ligjëratës që ata mbajtën në Universitetin e Prishtinës, duke u fokusuar në rëndësinë e arsimit dhe ngritjes së brezave të rinj.
“Temë tjetër e diskutimit ishin dhe zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet vendi, veçanërisht në kontekstin e dialogut me Serbinë. Kryeministri Kurti theksoi angazhimin e qeverisë për të avancuar në këtë proces, në normalizimin e marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër, duke ruajtur interesat shtetërore dhe duke promovuar stabilitetin e paqen në rajon”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.