Kurti takon kongresistin amerikan George Latimer, diskutojnë për zhvillimet në Kosovë dhe rajon

Kurti takon kongresistin amerikan George Latimer, diskutojnë për zhvillimet në Kosovë dhe rajon

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi dhe konsullin e përgjithshëm, ambasadorin Blerim Reka, kanë pritur në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në New York, kongresistin amerikan nga radhët e Partisë Demokratike, George Latimer.

Kështu bëhet e ditur në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, sot më 28.09.2025.

Në takim thuhet se u diskutua për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon si dhe për marrëdhëniet dhe partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kurti, siç njofton ZKM, falënderoi për rolin historik dhe aktiv të SHBA-së për Kosovën, për sigurinë dhe paqen e rajonit, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme dypartiake ndaj Kosovës në çdo etapë të zhvillimit.

“Kryeministri e njoftoi për progresin në rrafshin ekonomik, rezultatet e luftimit të korrupsionit dhe përmirësimin e sundimit të ligjit të reflektuara edhe në raportet ndërkombëtare”- thuhet në njoftim.

“U pajtuan që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të promovuar vlerat dhe interesat e përbashkëta të dy shteteve tona, duke përfshirë investimet në infrastrukturë dhe bashkëpunimin ekonomik, në dritën e vendimit të fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të hequr tarifën ndaj produkteve me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- përfundon njoftimi i ZKM-së.

Kurti po qëndron në ShBA ku po zhvillon takime bilaterale në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Related Articles